Tuesday, April 26, 2011

Personalitetet shqiptare ne Kamus Al-Alam (Sami Frasheri)

Shkarko Librin  1.12MB
Kjo është vepra më vëllimore dhe më e rëndësishme e Samiut. Është e shkruar në gjuhën turke të asaj kohe, d.m.th. me alfabet arab, në gjashtë vëllime me gjithsej 4830 faqe. Është enciklopedi historike-gjeografike. Këtu Samiu e shënon titullin edhe në gjuhën frenge DICTIONNAIRE UNIVERSEL D'HISTOIRE ET DE GEOGRA-PHIE, kurse emrin e vet e shënon të plotë Ch. Samy-Bey Fraschery (Sh. Sami Bej Frashëri).
Kâmûs al-a'lâmi botohet brenda viteve 1889 - 1898; vëllimi i parë dhe vëllimi i dytë botohen në të njëjtin vit, kurse vëllimet e tjera në çdo dy vjet, përveç vëllimit të katërt që botohet tre vjet pas të tretit. Kjo tregon për vështirësitë që kishte hasur Samiu pas vëllimit të dytë që do të shohim edhe nga vetë parathënia e tij.
Vëllimi i parë hapet me fjalën e botuesit Mihran, pastaj pason parathënia, siç e quan Samiu Ifade-i Meram (tregimi i qëllimit) prej tetë faqe e gjysmë të shkruar nga vetë Samiu. Në paragrafin e parë të kësaj parathënie, përkundër dëshirës së vet, sepse e urrente nga zemra , e lëvdon Sulltan Hamitin, pastaj flet për rëndësinë e dy shkencave: historisë dhe gjeografisë për të vazhduar pastaj për veprat historike dhe gjeografike, që kishin shkruar dijetarët e parë islamë; për vështirësitë që i kishin dalë gjatë klasifikimit dhe zgjedhjes së lëndës si dhe për arsyet që e kishin shty të shkruajë një vepër të këtillë. Këto ishin disa nga çështjet që i shtron Samiu në parathënien e Kâmûs al-a'lâm-it, prandaj në vazhdim do të ndalemi te kjo parathënie.
“Çdo shkencë dhe disiplinë shkencore e ka shijen e vet... Historia dhe gjeografia, thotë Samiu, janë nga shkencat më tërheqëse. Në të vërtetë njeriu ka dëshirë të dijë për gjendjen e planeteve të largëta, e si të mos ketë dëshirë të dijë për rrethanat e rruzullit tokësor në të cilin jeton? Pastaj, ka apo nuk ka gjallesa në Jupiter, në Saturn, nëse ka, gjithnjë mendon se çfarë gjallesash janë; pastaj, si të mos e di gjendjen e gjyshërve, stërgjyshërve të vet dhe popujve të ndryshëm që jetojnë në planetin e tokës. Ja pra, këto dy gjëra, e para mësohet me gjeografi, kurse e dyta me histori”.
Për të treguar se historia dhe gjeografia janë dy shkenca të pandashme, që nuk mund të jenë funksionale njëra pa tjetrën, Samiu thotë: “Gjeografia dhe historia janë binjake. Personi që dëshiron të dijë njërën, është i shtrënguar të mësojë edhe tjetrën. Çfarë rezultatesh do të arrijë ai që mëson për ngjarjet, e që nuk di për të kaluarën e atyre vendeve ku janë zhvilluar ato ngjarje! Prandaj, gjeografia është e nevojshme për historinë dhe anasjelltas, bile është një degë, vazhdon Samiu, ku të dyja bashkohen, e ajo është “gjeografia historike”. Nëse e lexojmë tani, thotë Samiu, gjeografinë që e ka shkruar Straboni para 1900 vjetësh, për shumicën e vendeve që i përshkruan ai, do të mendojmë se lexojmë gjeografinë e një planeti tjetër. Kur i shohim hartat e tij, krahasuar me ato që janë sot, do të hapet diskutimi, sepse, as ndarjet nuk janë ato të tanishmet, as emrat e vendeve, as qytetet ekasabatë, as popujt janë ata që kanë qenë në ato vende. Vendi ku ka qenë një qytet i madh e që ka qenë qendër civilizimi, sot është i zbrazët, e në vende ku nuk ka pasur shenja gjallërie, sot shohim qytete të mëdha. Këto ndërrime janë të pranishme gjithnjë, prandaj, thotë Samiu, gjeografia nuk është shkencë e qëndrueshme. Gjeografia e cila është shkruar para dhjetë vjetësh, tani pjesërisht kalon në gjeografi historike”.
Sipas Samiut, “Historia është kohë, gjeografia është vend, kurse lidhja që ka koha me vendin është e qartë. Koha është gjithmonë po ajo kohë, edhe vendi, përveç disa ndryshimeve që ndodhin në mënyrë shumë të ngadalshme që i takojnë gjeologjisë, është po ai vend, por ndryshojnë njerëzit dhe gjërat që i krijojnë ata. Për të mësuar gjendjen e tanishme dhe të kaluar të njerëzve që janë e që kanë qenë në rruzullin tokësor, mund t'u drejtohemi vetëm shkencave të historisë dhe të gjeografisë, thotë Samiu. Këto rrethana, nga aspekti kohor i mësojmë nga historia, nga aspekti i vendit i mësojmë nga gjeografia, e nga aspekti i përbashkët, i kohës dhe i vendit, nga gjeografia historike.
Në vazhdim Samiu bën dallimin e gjeografisë historike nga gjeografia matematikore dhe natyrore, duke thënë se njëra merret me matematikë (me numra) e tjetra me gjeologji, për të thënë më poshtë se “historia dhe gjeografia janë dy shkenca shumë të gjera, saqë, për të mësuar çdo anë të këtij rruzulli tokësor të vogël që nuk mund të shihet nga planeti i Jupiterit pa dyrbi, jeta e njeriut është e shkurtër”.
Më poshtë bën edhe dallimin në mes historisë dhe gjeografisë: “Historia është më e gjerë se gjeografia, sepse në histori, thotë Samiu, kundërthëniet janë më të shumta. Një pjesë e historisë është rrenë e thjeshtë e cila me kalimin e kohës dhe me përsëritjen e përhershme merret si e vërtetë. Historia është zaptuar nga ana e popujve të ndryshëm. Sa më shumë që ndryshojnë burimet e saj, po aq ndryshon edhe interpretimi. Ngjarjet i ndryshojnë herë me qëllim e herë duke gabuar, ashtu që vështirë është që në mesin e tyre të gjendet ajo që është e vërtetë”. Këtu merr si shembull historinë e Iranit të lashtë, duke thënë se “ka dallime në mes historisë evropiane që e kanë marrë nga grekët dhe historisë lindore që interpretohet nga Firdevsi. Këto dy histori janë shumë kontradiktore, sigurisht njëra prej tyre është e gabueshme, por si të bindemi se tjetra është e vërtetë?” - pyet Samiu. Samiu këtu përpiqet t'u sugjerojë historianëve që të jenë sa më të kujdesshëm dhe më objektivë: “Është detyrë e atyre që merren me histori që të mos marrin gjithnji si të vërtetë atë që shkruhet në libër pa i analizuar ngjarjet, pa i verifikuar burimet...”
Se sa literaturë të gjerë ka përdorur Samiu për hartimin e Kâmûs al-a'lâmit dhe sa i ka njohur veprat e dijetarëve islamë , sidomos ato arabe, mund të shihet në vazhdim: “Dijetarët e parë islamë janë marrë shumë me këto dy shkenca dhe kanë shkruar shumë libra. Përveç librave të përgjithshëm historikë të historianëve, p.sh. Mes'udit, Ibni Ethirit, Ibni Haldunit, Ibni Xhuzit, Dhehbit, Makrizit, Ajnit, të cilët i përshkruajnë ngjarjet gjerë e gjatë, ka edhe libra të veçantë historikë për çdo vend, për çdo shtet, madje për çdo qytet e kasaba. Hatib Bagdadi, thotë Samiu, ka shkruar vetëm historinë e Bagdadit në mbi 50 vëllime të mëdha, kurse Ibni Asakiri, për historinë e Damaskut ka shkruar plot 57 vëllime... Nga fusha e historisë, dijetarët e parë islamë kanë shkruar edhe vepra biografike për sahabet (shokët e Muhammedit a.s.); për halifët, fakihët, muhad-dithinët, poetët, mjekët, kurratë, mufessirët, vezirët, pra për të gjithë personalitetet që kanë luajtur ndonjë rol në shoqëri. Të gjitha biografitë e tyre janë shkruar në mënyrë të gjithanshme, gjerësisht... Ndonëse një pjesë e madhe e tyre janë zhdukur dhe nuk gjendet, sot edhe ajo që gjendet, thotë Samiu, vështirë mund të shfrytëzohet, sepse është shkruar shumë gjerësisht.
Dijetarët e parë islamë kanë shkruar shumë libra edhe nga fusha e gjeografisë, si p.sh. Astrahiu, Ibni Hukali, Mukadesi, Bekriu, Biruniu, Idrisi, etj. Këtu Samiu përmend edhe autorët që kanë shkruar udhëpërshkrime, siç janë Ibni Betuta dhe Ibni Xhubejri.
Arabët, thotë Samiu, janë të parët që veprat e tyre gjeografike dhe historike i kanë shkruar sipas rendit alfabetik.

2 comments:

  1. Te falenderoj per kete shkrim dhe sqarimet qe jep, puna e Samiut eshte nje tregues se si kane punuar muslimanet dhe se si duhet te punojme neve sot per ta fituar davane....

    ReplyDelete