Tuesday, May 31, 2011

Dr Xhekil dhe Mr Hajdi

Shkarko Librin  1.22MB

Sipas fjalëve të vetë Stivensonit ideja e librit Doktor Xhekilli dhe mister Hajdi, atij i erdhi
nga një ëndërr e keqe, nga një makth i frikshëm që e zuri një natë në gjumë. Në të vërtetë një
fillesë kaq e çuditshme (ndonëse një rast jo krejt i panjohur) nuk mund të mos nxirrte në dritë
një nga librat më të çuditshëm dhe një nga sukseset më të mëdha të letërsisë botërore.

Romani Rasti i çuditshëm i dr. Xhekillit dhe mister Hajdit (që kemi parapëlqyer t’ia lëmë
titullin thjesht Doktor Xhekilli dhe mister Hajdi, sikundër ka ndodhur edhe me mjaft
përkthime të tjera në vende të ndryshme të botës ), doli nga shtypi më 1886 dhe njohu një
sukses të menjëhershëm. Që prej njëqind e dyzet vjetësh, tema e dyzimit të personalitetit të
njeriut, që ai ka në qendër, është komentuar në mënyrat më të ndryshme. Natyrisht, në kohën
kur ai u shkruajt, psikanalisti i madh austriak S. Frojd është ende stazhier në Paris dhe nuk ka
botuar asgjë rreth teorisë së tij të personalitetit, nuk ka folur ende për ekzistencën dhe
ndikimin e ndërsjellët të ndërgjegjes e nënndërgjegjes, ende nuk dihet asgjë se në këtë të
fundit përqendrohen e burgosen instinktet e idetë e përzëna të ndërgjegjes, por megjithatë,
idetë që ai do të formulojë më pas kanë një lloj lajmëtari të parakohshëm te ky libër i
Stivensonit. Të tjerë studiues te ky libër shohin edhe një lloj ndikimi të largët të teorisë së Ç.
Darvini. Ky i fundit, me veprën e tij Origjina e llojeve, të botuar më 1859, kishte sjellë
prova tepër tronditëse (për kohën) të prejardhjes së njeriut nga majmuni. Natyrisht ishte
suksesi i jashtëzakonshëm i librit, që i shtynte kritikët e kohës të gjenin një shpjegim të
besueshëm të fenomenit që ai trajtonte.
Por, për mendimin tonë nuk duhet harruar se dyzimi i personalitetit ishte një temë e rrahur jo
pak që në mitologjinë e popujve të lashtë e për më tepër lufta e së mirës dhe e së keqes
brenda vetë njeriut, ka qenë një ide tepër e njohur dhe e trajtuar gjerësisht e prej filozofëve të
lashtësisë. Ideja e djallit dhe engjëllit, shejtanit e meleqit që ndodhet brenda të njëjtit individ
është pjesë e katekizmit të feve monoteiste. Diku nga fillimi i kreut të dhjetë të këtij libri,
Stivensoni e përmend edhe vetë një ide të tillë, që siç thotë ai është në origjinë të vetë besimit
fetar. Megjithatë, është rasti të theksohet se tema e zgjedhur shpjegon vetëm një pjesë të
interesit të madh që paraqet ky libër i Stivensonit. Për ta kthyer atë në një kryevepër të
letërsisë botërore duhej edhe forca e madhe e penës së tij, vizatimi magjistral i personazheve
dhe skenave dramatike.

1 comment:

  1. po si shkarkohen kto librat?
    ose te pakten si lexohen

    ReplyDelete