Shkarko Librin 1.19MB
Libri "Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve" nuk paraqet një tërësi unike, kohezive, ai nuk paraqet një tërësi monografike, por nëse soditet me vëmendje, ai karakterizohet me një lidhje të brendshme, kuptimore. Distancën kohore dhe llojllojshmërinë tematike i mbulojnë fryma dhe dominimi i idesë qendrore që tërhiqet nga punimi i parë e deri te i fundit. Dhe derisa lënda e shtruar nuk është tërësisht e panjohur për lexuesin tonë, atëherë këndvështrimi dhe mënyra e trajtimit, pa mëdyshje, për lexuesin paraqet një moment të ri. Ky moment i ri, para së gjithash, konsiston pjesërisht në shtruarjen e tezave të reja e pjesërisht të tezave të shpërfillura dhe të anatemuara.
Rëndësia e këtij libri qëndron edhe në kontributin për fillimin e plotësimit të zbrazëtirës për këtë lloj literature, kështu që nevojitej angazhim maksimal që nga të dhënat e shkapërderdhura nëpër burime, literaturë e periodikë, të komponohet e vërteta deri te e cila na shpiejnë të dhënat kulturore-historike etj. Libri nuk pretendon ta thotë fjalën e fundit, madje nuk pretendon as se është vjelur tërë lënda relevante e irelevante lidhur me këtë temë. Përkundrazi, konsideron se materiali i vjelur, i sistematizuar dhe i interpretuar, paraqet vetëm nismën në këtë rrafsh të lënë pasdore.
Libri nuk ka pretendime të mëdha. Qëllimi parësor i tij është që nëpërmjet këtyre shkrimeve të inicohen hulumtime e studime të mirëfillta në këtë rrafsh. Po ashtu, synim tjetër me rëndësi është të jepet shenjë në disa lajthitje ideologjike, shtrembërime e manipulime shkencore, të qëllimta në shkencën ndër ne, si pasojë e ndikimeve ideologjike shkencore ballkanike dhe evroperëndimore, në të cilat edhe kemi dhënë shenjë gjatë mbarështrimit të çdo shkrimi veç e veç. Synim tjetër me rëndësi jo më të vogël është edhe çështja që t’i kontribuohet formimit të një botëkuptimi burimor autokton shqiptar, e jo të formojmë botëkuptime të huaja në raport me kulturën dhe civilizimin real e faktik të pranishëm ndër ne, apo të bëhemi "pre" e synimeve jo të sinqerta të forcave akulturuese e hegjemoniste botërore.
Natyrisht, jemi të vetëdijshëm edhe për mungesat e librit, sikur, mosartikullimi i mjaftueshëm i tezave të shtruara dhe moselaborimi i tyre deri në fund, dhe këtë për dy arsye: koha e "pakohë" kur janë shkruar këto punime dhe ikja nga spekulimet e ekzagjeruara teorike. Jemi të vetëdijshëm edhe për lëshimet eventuale dhe mungesat tjera, siç është pamundësia e konsultimit të disa burimeve e veprave që gjenden nëpër biblioteka e arkiva dhe të disa veprave të reja, e që ende nuk kemi ardhur deri tek ato. Lexuesit do t’i bien në sy edhe ca përsëritje idesh apo faktesh, që janë rezultat i faktit se punimet janë shkruar veç e veç e në kohë të ndryshme, por edhe rezultat i vetë natyrës së punimeve, dhe si të tilla kanë hapësirën dhe relevancën shkencore dhe nuk e ngarkojnë leximin e librit.
Vlen të theksohet se ky libër, në një mënyrë, paraqet zgjerim të disa aspekteve të librit tonë "Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane" (Shkup, Logos-A, 1997, fq. 102.)
Pasi çdo punim është i pajisur me shënime dokumentuese, interpretuese e informuese, e kemi parë të nevojshme që në fund të çdo kapitulli ta ofrojmë literaturën për secilin punim veç e veç, me qëllim të lehtësimit të punës për ata që dëshirojnë t’i thellojnë studimet.
I falënderojmë të gjithë ata që me vërejtjet apo sugjerimet e tyre kanë ndihmuar që ky libër ta shohë dritën me sa më pak mangësi. Vetëm All-llahu është Absolut i Përkryer!
No comments:
Post a Comment