Saturday, April 9, 2011

HIPNOZA SHKENCË APO FIKSION

Shkarko Librin 4.64MB

 Duke lexuar këtë libër të mrekullueshëm për të cilin lexuesi do të bindet vet sa është i realizuar, gjithëpërfshirës dhe i sistemuar në nivel të lartë shkencor, duke menduar edhe për autorin, Sabir Krasniqi, që dy vite më parë është prezentuar para lexuesve me tekstin orgjinal (mbase të parin në gjuhën shqipe) „Parapsikologjia...“, vetvetiu imponohen disa pyetje: prej nga po vjen kjo rrjedhë e kristaltë e këtij lumi krijues, që po sjell fresk e bukuri në botimet e kësaj natyre? Ku po gjendet gjithë ky vullnet, energji e dashuri për të realizuar botime të këtilla - në këto kushte?
Ma merr mendja se përgjigja mund të gjendet në Prizren, në kryeqytetin shpirtëror të të gjithë shqiptarëve. Duket se pikërisht në këtë qytet është sublimuar e sedimentuar në gjene (siç do të thoshte Pek Skoti) dëshira e mijëra brezave të popullit tonë për një depërtim më të thellë në shpirtin dhe mendjen e njeriut. Pse po them kështu? Për arsye se në këtë qytet, për herë të parë në Kosovë, lindën publikimet (qoftë si revista apo si libra të veçantë) plotësisht të profilizuara e me synim të qartë: kultivimi i literaturës inspirative, qartësimi i ligjeve të mendjes dhe depërtim në sferat më të thella të shpirtit të njeriut.
Para shumë vitesh, një dorë ëngjullore, dora e mistikut të parë në këto troje, Salih Bashës, e thirri, e ofroi dhe e orientoi grupin e të rinjve të Prizrenit, që të niset rrugës së vështirë që shpie kah pjekuriaemocionale dhe kah rrita shpirtërore. Kjo dorë që rrezatonte dashuri e dituri nuk mbeti e vetmuar. Shumë shpejt u krijua një klimë, që tash ka nisur t’i nxjerrë në sipërfaqe frutat e një pune të madhe. Prandaj, autori i „Hipnozës...“, Sabir Krasniqi, me plotë të drejtë mund ta përdorë thënien e njohur të I. Njutnit: „Në rast se unë kam parë më larg se të tjerët, kjo ka ardhur sepse kam qëndruar mbi supet e gjigantëve“. Në këtë kuptim, Sabir Krasniqi, nuk del autor i ri, një „që ka pikë prej qiellit“ dhe tani prezentohet me libër kaq të realizuar e kaq serioz. Biografia e Sabir Krasniqit i ka rrënjët e shtrira në bukurinë, dashurinë, vullnetin, vendosmërinë dhe përcaktimin që e ujiti klima e krijuar në Prizren. A s’është, prandaj, hynjor roli i individit që synon ta zhdukë terrin e mendjes, atë terrin e një nate pa hënë e pa yje?
„Hipnoza...“ për mua është më shumë se një libër me vlerë. Xh. Marfi thotë: „Mund të manipulohet edhe me një popull të tërë që nuk i njeh ligjet e mendjes“. Ndërkaq, Humbaleti thotë: „Do të vijë koha kur sëmundja do të jetë marrëzi, sepse të gjitha sëmundjet bazën e kanë në mendimin negativ“. E, në këtë libër, në mënyrë më kopmlete dhe më të thellë, në mënyrë më të plotë të thënë deri më tash në gjuhën shqipe, flitet gjërë e gjatë për FUQINË E MENDIMIT. Në të dy dimensionet: pozitiv dhe negativ. Le të ndalet lexuesi (po e porosis me nënvizim) në kaptinën për sugjestionet dhe le t’i lexojë këto pjesë jo si kaptina të librit, por si përvojë jetësore, dhe vetëm atëherë do të bindet se ka në dorë një pasuri të rrallë.
Në vlerësimet e mia nuk kam asfarë droje se mund të bie në subjektivizëm të tepruar, sepse gjakimi im ka qenë dhe mbetet: rezultatet e dijes të kenë përdorim praktik në jetë! Për këtë gjakim ka folur edhe plaku i mendimit gjerman, Gete, kur tha: „Mendja e fuqishme që ndjek qëllime praktike është mendja më e mirë në botë“. Në këtë plan, autori, plotësisht e ka arritur qëllimin, pikërisht duke jetësuar në tërësi atë thënien e mrekullueshme: „krijuesit janë si retë: thithin ujin e njelmët, që të lëshojnë shiun e ëmbël“.
E dua këtë literaturë, i dua njerëzit që mirren me këtë literaturë dhe i dua (shumë i dua) lexuesit që e lexojnë dhe që e përdorin në jetë dijen e kësaj literature.
Mars – prill 1998 Daut Demaku

No comments:

Post a Comment